Teza e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, provim i cili zyrtarisht ka nisur prej orës 10:00 të kësaj të marte dhe është duke vijuar ende, ka përfunduar në internet.

Vetëm 20 minuta pasi maturantët kishin nisur të testonin njohuritë e tyre, teza e provimit varianti B ka dalë në rrjetet sociale.

Teza është duke qarkulluar gjerësisht në internet, ndërkohë që maturantët vijojnë të jenë nëpër klasa.

Nuk dihet nëse teza është fotografuar nga vetë maturantët apo jo, pasi me rregull asnjë prej tyre nuk duhet të mbante celular në sallë.

Mbi 27.000 maturantë në të gjithë vendin po testojnë njohuritë e tyre në provimin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Provimi ka nisur në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30. Provimi zhvillohet në145 qendra në të gjithë vendin, ndërsa më shumë se 640 mësues do të korrigjojnë testet.

Pajisjet elektronike janë të ndaluara gjatë procesit e për këtë arsye janë marrë edhe masa ekstra në institucionet arsimore, duke i pajisur ambientet e testimit me bllokues valësh.

Më 3 qershor, maturantët testuan njohuritë e tyre në lëndën e gjuhës së huaj, por njëjtë edhe si kësaj here, teza e provimit përfundoi në internet.

Lidhur me publikimin e tezave Ministria e Arsimit reagoi duke qetësuar prindërit se procesi ishte duke vijuar normalisht dhe se publikimi i tezave nuk ndikonte në zhvillimin e provimit.