Në vijim të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, si dhe në zbatim të bashkëpunimit ndërinstitucional për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Task-Forcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, ushtruan verifikime në një subjekt hotelier në fshatin Dhërmi.
Gjatë kontrollit të ushtruar më datë 18.07.2025, u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i këtij hoteli ishte jashtë funksionit dhe si pasojë, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal, në gjendje të lirë, për administratoren e hotelit, shtetasen E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.