Marshojnë në qytet për sensibilizim
Nën moton “Mbroni planetin tonë! Koha për të vepruar!”fëmijë nga Elbasani , Durrësi, Peshkopia dhe Bulqiza marshuan në rrugët e Elbasanit të shqetësuar për nivelin e lartë të ndotjes në këtë qytet, por dhe në Durrës, Mat dhe Dibër ku janë kryer matjet.Sipas matjeve të kryera rezulton se ndotja në këto qytete është dy fish më e lartë se e lejon Organizata Botërore e Shëndetit.
Me pankarta në duar dhe mesazhe sensibilizuese të rinjtë, ndryshe nga të rriturit treguan se për cështje sensitive sikundër është mjedisi ata mund të bëhen bashkë ndërsa thirrjet ia adresuan qytetarëve, bizneseve dhe politikbërësve.
Një tjetër moment ku fëmijët kërkuan vëmendje ishte Ndotja e Ambientit dhe Infrastruktura e Shkollave të cilat sipas tyre ndikojnë drejtpërdrejtë tek shëndeti dhe mirëqënia e fëmijëve. Niveli i lartë i dioksidit të karbonit ka bërë që 10 deri 20% e fëmijëve të vuajnë nga astma, dhimbja e kokës, mungesa e përqendrimit, marramendja dhe bllokimi i hundëve.
Mungesa e ambienteve për argëtim, zhvillim dhe zbavitje, mungesa e hapësirave të gjelbra në shkolla, si dhe mungesa e ambienteve sportive shihen si pengesa për të përmirësuar cilësinë e arsimimit të fëmijëve, duke përfshirë zgjerimin e njohurive mbi natyrën, mjedisin dhe tokën.
Edukimi joformal lidhur me mjedisin në Shqipëri pothuajse mungon, ndërkohë që informacioni që ofrohet në shkolla është mjaft i pakët theksuan fëmijë e të rinj. Sipas tyre ata do të rikthehen sërish në sheshe që zëri i tyre të dëgjohet./egnatia news