Me zbatimin e reformës së digjitalizimit, është shtuar gama e shërbimeve “online” për qytetarët. Projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për gjendjen civile”, synon që qytetarëve t’u mundësohet dhe përftimi i dokumenteve të tjera në formën online, të cilat më parë lëshoheshin nga zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative dhe zyrat e arkivit së gjendjes civile pranë prefektit të qarkut në sportel.
Qëllimi është që për shtetasit shqiptarë ofrohet një shërbim pa kosto, duke shmangur prezencën e nevojshme, kontaktin me nëpunësit e gjendjes civile në sportel, si dhe kohën fizike që më parë kërkohej për tërheqjen e dokumenteve në zyrat e gjendjes civile sipas organizimit të tyre, në përputhje me ndryshimet përkatëse. Disa prej veprimtarive kryesore që propozohen të përmirësohet nëpërmjet këtij projektligji lidhet me rregullimin e procedurave për vendbanimin, regjistrimin e vendqëndrimit të shtetasve të huaj, modaliteteve të mëtejshme që duhet të ndjekin nëpunësit e gjendjes civile në bashki/njësi administrative gjatë lidhjes së martesës, si dhe ushtrimit të funksionit të gjendjes civile nga nëpunësit në postet tona konsullore.
Sa i takon bonusit të lindjes, sipas projektligjit, nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, i vendosur pranë këtyre institucioneve, kryen veprimtarinë e regjistrimit të lindjes së fëmijës dhe lëshon certifikatat për përfitimin e bonusit të lindjes. Në bazë të kësaj iniciative, nëna e fëmijës përfiton shërbimin e regjistrimit të lindjes, pagesën e bonusit të lindjes së fëmijës etj., me një ndalesë të vetme drejtpërdrejt në institucionin shëndetësor pa shkuar në zyrën e gjendjes civile në bashki/njësi administrative ku rezulton e regjistruar. Ofrimi i shërbimit të gjendjes civile tashmë ka evoluuar në ofrimin elektronik nëpërmjet platformës qeveritare “e-Albania”, ku shtetasit përfitojnë pjesën më të madhe të shërbimeve të gjendjes civile, pa u paraqitur në sportele.