Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në një takim homologun e saj slloven Borut Pahor.

Pas takimit që patën Osmani dhe Pahor janë deklaruar edhe para mediave.

Osmani tha se në këtë takim diskutuan për samitin e udhëheqësve në Brdo – Brijuni, më 17 maj, dhe temat temat që priten të trajtohen aty.

“ Kësaj radhe ishte vizitë pune që të bëjmë përgatitjet e nevojshme për procesin Brdobrini, që shënon 10 vjetorin e këtij procesi më 17 maj ku unë do të përfaqësojë Kosovën. Diskutuam për temat që priten të trajtohen aty, me theks nevojën për bashkëpunim rajonal si dhe nevojën për përshpejtim të integrimit evropian të gjithë rajonit tonë. E sigurove atë që Republika e Kosovës e ka prioritet integrimin evropian. E theksuam qartë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, madje dyfishin dhe është në një pritje të gjatë ku qytetarët tanë për fat të keq po mbahen të mbyllur për dallim nga të tjerët që kanë përfituar nga ky proces”, tha Osmani.

Tutje presidentja theksoi se e njoftoj presidentin slloven edhe për çështjen e pandemisë.

“Sa i përket pandemisë e njoftova presidentin slloven se akoma kemi nevojë për vaksina dhe shpresoj shumë se Sllovenia do të ndihmojë Kosovën qoftë edhe në mënyrë simbolike, si afirmimi i miqësisë së fortë pasi siç thotë edhe populli ynë “miku i mirë gjendet në ditë të vështira”, shtoi ajo.

Osmani theksoi se kufijtë e Kosovës janë përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008.

“Unë e potencova gatishmërinë e që Kosova të jetë pjesë e dialogut në Bruksel gjithnjë duke pasur parasysh se statusi i Kosovës është përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008 dhe kufijtë i vendit tonë janë përcaktuar njëherë e përgjithmonë, por Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar çështje që vërtet kanë rëndësi për njerëzit tanë, siç është ajo e personave të zhdukur’, tha ajo.