Zef Guri është ekzekutuar pasditen e sotme në malin e Shoshit në Dukagjin. Ai ka qenë së bashku me të birin, Gjin Gurin 38 vjeç, në momentin ku ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Sipas burimeve, shënjestër e këtij atentati mendohet të ketë qenë Gjin Guri. Shkak paraprakisht dyshohen konfliktet për kultivimin e narkotikëve.

Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma.

Zef Guri bëhet me dije se ka qenë ish-efektiv i policisë pyjore, ndërsa Gjin Guri, i cili ka mbetur i plagosur rëndë është një person me precedent penal, pasi në vitin 2015 ka shkëmbyer zjarr me skuadrën e policisë, në operacionin e zhvilluar në atë kohë. Ai ishte dënuar me vendim të formës se prerë më 7 vjet e dy muaj burg për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të Armëve luftarake” dhe “Kanosje”.

Më 15 nëntor të vitit 2021 Gjin Gurit i është vendosur një tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në malin e Shoshit në Dukagjin.

Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa autorët mbetën të pazbuluar.

Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.

Asokohe Gjin Guri ishte një person në kërkim, ndërkohë që dyshohej edhe si personi që qëlloi ndaj Policisë në një aksion të efektivëve 6 vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin. “Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirë-organizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.

(Xh.H/FaxWeb.al)