Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me ngjarjen e Deçanit, ku deri më tani raportohen dy të vdekur dhe mbi 900 të tjerë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e helmimit masiv nga uji i pijshëm.

Kurti ka thënë se do tu përgjigjen kërkesave të qytetarëve të prekur nga infeksioni në Deçan. Përmes një postimi në Facebook, Kurti njoftoi se për shkak të angazhimeve jashtë vendit nuk ka mundur të jetë në Deçan gjatë këtyre ditëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes”, shkroi Kurti.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Të dashur qytetarë të Komunës së Deçanit,

Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.

Në bisedë me Kryetarin e Komunës, z.Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit.

Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë Zëvendëskryeministrja znj.Donika Gërvalla dhe Ministri i Shëndetësisë, z.Arben Vitia.

Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes.

Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë.

fax