47 burra, pothuaj të gjithë burrat e fshatit Qyshk të Pejës u vranë nga forcat serbe gjatë luftës. Burrat dhe djemtë u ndanë nga nënat, gratë dhe vajzat, dhe u futën në tre dhoma ku u vranë dhe u dogjën. Në një dhomë u futën 9 burra dhe vetëm një prej tyre doli gjallë, duke ikur nga dritarja. Ai është Rexhë Kelmendi.
“Të gjithë janë të vrarë pas shpine. 8. Unë kam dalë nga dritarja, në anën e kundërt…kanë bërë çfarë askush nuk e mendon” tha Rexhë Kelmendi në emisionin “Ballkan”.
Ardian Kelmendi ishte 16 vjeç. Fati deshi që edhe ai të mbetej gjallë për të treguar tmerret. “Kisha mbetur herë në duar të një ushtari, herë të një tjetri, duke dashur të më pushkatonin.
Në dorë të disa ushtarëve duke më rrahur, në dorë të disa ushtarëve duke më rrahur, në dorë të disa ushtarëve që më thoshin mblidhi këto gjëra që i kishin plaçkitur. Ashtu mbeta…Unë i kam parë edhe të gjitha kufomat, edhe kur kanë qenë duke u djegur” tha ai.
Halit Gashi ka ngritur padi kundër shtetit serb në Beograd. “Më 25.04.2018 në Beograd kam ngritur padi për Halil Nikçin. Ky është vrarë, jo nuk është vrarë, është masakruar, krej pak tru ka pasur, në bluzën time ia kam mbështjellë trutë dhe një pjesë të kokës, e kam hedhur në shpinë dhe e kam varrosur.”
Rexhë Kelmendi thotë se nuk është bërë asgjë, se gjysma e dëshmitarëve kanë vdekur pa u zbardhur asgjë.
“I kanë dënuar formalisht këta 13 në Beograd, pastaj prapë, ata janë të lirë, të lëshuar janë.” Rexhë Kelmendi thotë se megjithatë, njeriu është më i fortë se guri. Ai vetë është dëshmi e gjallë e tmerreve dhe rron për të dëshmuar.
Faxweb