Erion Murataj PSD

Policia ka zbardhet dinamika e ngjarjes së djeshme, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku u dëmtuan 2 shtetas.

Është arrestuar 66-vjeçari i cili në bashkëpunim me djalin e tij, qëlloi me armë zjarri, në drejtim të 2 shtetasve (nënë e bir), ndërsa vijon kërkimi për kapjen e të birit.

Sipas policisë, nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Paraprakisht u dyshua se shtetasja Suzana Mërnica ishte plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se 2 shtetasit (nënë e bir) u dëmtuan nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte shtetasi i shpallur në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2025, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit Ali Çimili, 66 vjeç dhe Afrim Çimili, 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit Hysen Mërnica, 26 vjeç dhe Suzana Mërnica, 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 66-vjeçari.

Nga këto veprime dyshohet se shtetasit Ali dhe Afrim Çimili, për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit Hysen dhe Suzana Mërnica. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij. Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit Hysen dhe Suzana Mërnica, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.

Vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit.