Sot, më datë 24 korrik 2025, që prej orës 09:30, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan po zhvillohet seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së ndalimit dhe arrestit në flagrancë ndaj shtetasve Denis Hasalla dhe Bledar Çullhaj, të dy nën hetim.

Denis Hasalla, 35 vjeç, me detyrë Drejtor Kabineti dhe mbikqyrës i menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë e Peqinit dhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla, u arrestua mëngjesin e fillimjavës gjatë një operacioni që u zhvillua në disa qytete të qarkut të Elbasanit ku u ushtruan 14 kontrolle.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak. Operacioni u krye nga Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të një vendimi të Gjykatës për lejimin e kontrolleve në kuadër të një procedimi penal të nisur që prej vitit 2024. Ky procedim është i lidhur gjithashtu edhe me hetimet mbi abuzimet financiare të kryera nga kompania “Eco Elb”.