Sali Berisha vendosi të mos paraqitet në seancën në ambientet e GJKKO, në orën 14:00 ku do të merrej në pyetje lidhur me privatizimin e ish kompleksit “Partizani”, për të cilën akuzohet për korrupsion pasiv dhe larje parash. Megjithatë, Berisha ka dërguar në GJKKO, avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi.

Ndërkohë ndërsa në GJKKO dërgoi përfaqësuesit ligjorë, Sali Berisha nën hetim për korrupsion, tha për mediat ‘kushtin’ e tij për të shkuar në këtë proces.

“Nuk është se nuk pranoj, e deklarova dhe deklaroj, me sinqeritet sa herë të thirrem do shkoj. Të heqë gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provoj a po shkoj a s’po shkoj unë. Vendosja e masës pa leje nga parlamenti, është përdhosje e ligjeve të vendit. Nuk ia lejoj vetes të shkel kushtetutën. Që nesër të sjellin amendamentin e 2012 në parlament, Sali Berisha e voton. Jam për barazi të qytetarëve para ligjit.”- u shpreh Berisha.

Prokuroria e Posaçme bëri të ditur të dielën se ka marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshortin e vajzës së tij Jamarbër Malltezi nën dyshimin se kanë përfituar 5.4 milionë euro në formën e pagesës në shkëmbim të veprimeve qeveritare në favor të kompanive Homeplan dhe Magnet, bashkëpronari i së cilës Fatmir Bektashi u mor i pandehur për pastrim parash./abcnews.al