
Një tjetër operacion i forcave RENEA ka dështuar në Shkodër për gjetjen dhe arrestimin e Eljon Hatos, i shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza” që prej vitit 2023.
Mësohet se kontrolle të shumta janë kryer në zonën e Rrethinave në Shkodër në orët e mbrëmjes, por Hato sërish nuk është gjetur. Të njëjtat burime thonë se nga ky aksion janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 5 apo 6 persona, në mesin e të cilëve edhe vëllai i Eljon Hatos. Edhe më herët RENEA ka kryer disa operacione për arrestimin e tij në Shkodër dhe Tiranë por nuk ka mundur ta gjejë. Nuk dihet nëse operacioni është dekonspiruar, apo Hato nuk ka qenë në banesë gjatë kontrolleve, raporton shqiptarja.
Eljon Hato, një emër me rekorde kriminale, ka qenë i përfshirë në vrasjen e bujshme në zonën e ish-bllokut në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. I konsideruar “ushtari” i Ervis Martinajt, Eljon Hato mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal “Monopol”, u arrestua nga policia, por pas disa kohësh u la i lirë.
Në 12 maj 2014, asokohe 24-vjeç, Hato u akuzua për vrasjen e Indrit Yllit gjatë një sherri banal në Zus të Shkodrës. Një vit më vonë kur ai ndodhej në burgun e ShënKollit, Hato, u akuzua se porositi vrasjen e mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli, si hakmarrje për një shok që ishte plagosur nga djali i Terollit. Hato kishte “pajtuar” një 21-vjeçar i cili do të kryente vrasjen, por policia arriti ta parandalonte ngjarjen e rëndë.
