Nesër do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror 2026, i cili do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
E kaluara mes dy vendeve është e ngarkuar me tensione historike dhe politike, të cilat fatkeqësisht janë reflektuar shpesh edhe në ngjarjet sportive. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se futbolli nuk është një fushë lufte, por një arenë garimi dhe gëzimi kolektiv. Nuk është vend për të nxjerrë mllefe historike apo ndjenja shoviniste — aq më pak për të imituar sjellje të pahijshme që e kanë njollosur shpesh imazhin e vetë futbollit.
Shqiptarët nuk duhet të bien në grackën e të bërit kopje të shëmtuar të sjelljeve të ulëta që kanë ardhur nga ana tjetër. Thirrjet fyese, dhuna, apo hedhja e sendeve në fushë nuk ndihmojnë as Kombëtaren, as Federatën, as vendin. Përkundrazi, dëmtojnë rëndë imazhin tonë kombëtar, sportin dhe shpresat për zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës sportive.
Çdo gjobë që UEFA apo FIFA vendos për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme në stadium, është një pengesë për investimet që mund të përmirësojnë kushtet për të rinjtë dhe brezat e ardhshëm të sportistëve. Mbi të gjitha, sjelljet primitive nuk na dallojnë për mirë nga ata që i kritikojmë — përkundrazi, na barazojnë me ta në nivelin më të ulët të qytetërimit.
Policia dhe Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë vigjilente dhe të palëkundura: çdo tifoz që shkel rregullat, nxit dhunë apo sjellje të pahijshme, duhet jo vetëm të largohet menjëherë nga stadiumi, por të ndalohet përkohësisht ose përgjithmonë nga pjesëmarrja në evente sportive.
Kjo është një mundësi për të treguar se ne dimë të jemi qytetarë dhe sportdashës. Le të përkrahin Kombëtaren tonë me zë, zemër dhe dashuri për futbollin — jo me urrejtje dhe mllef.
Fitorja më e madhe nesër nuk është vetëm ajo në rezultat — është ajo e dinjitetit dhe qytetarisë.
Forca Shqipëri! Go Albania!