Shqipëria e nënvlerësuar përballet sot me Spanjën, një nga favoritët për të fituar Euro 2024, teksa mbetet “ambicioze” pasi kërkon të sigurojë pikët e nevojshme për të kaluar grupin, për herë të parë në historinë e saj

Spanja tashmë është kualifikuar nga Grupi B si fituese, ndërsa Shqipëria është e treta me një pikë.

Shqipëria humbi ndaj Italisë pavarësisht se shënoi golin më të shpejtë në historinë e europianëve. Në ndeshjen e dytë arriti një barazim dramatik 2-2 në momentet e fundit me Kroacinë.

Menaxheri Sylvinho thotë se: “Spanja është një skuadër e fortë dhe ne kemi një lojë të vështirë përpara. Por ne do t’ia dalim”.

“Ne kemi lojtarë të guximshëm që janë ambiciozë dhe mezi presim të luajmë mirë kundër tyre”.

Sulmuesi i Shqipërisë, Arbër Hoxha tha se Spanja është “skuadra më e mirë në këtë grup, dhe jo vetëm ky grup, por edhe i gjithë turneu”.

Skuadra e Sylvinhos – e cila nuk arriti të dilte nga faza e grupeve në Euro 2016 – është në një pozicion të vështirë, por braziliani tha se ekipi i tij është “krenar” për paraqitjen e tyre në Gjermani deri më tani dhe dëshiron të bëjë edhe një hap më tej.

“Ka tre milionë shqiptarë në Shqipëri dhe më shumë se nëntë apo 10 milionë në mbarë botën. Ka qenë një brez që nuk e ka parë kurrë skuadrën e tyre në një kampionat europian”, tha Sylvinho.

“Ne të gjithë po bëjmë një punë vërtet të mirë. Jemi të gjallë, krenarë dhe ambiciozë. Spanja është e fortë, por ne do të bëjmë gjithccka në ato 90 minuta. Do të ishim të lumtur të luajmë në 16-shen e fundit, por ne duhet të japim performancën tonë më të mirë”.

“Shqipëria tashmë ka krijuar një surprizë”

Kualifikimi i Spanjës në 16-shen e fundit është konfirmuar tashmë, por trajneri Luis de la Fuente tha se “prestigji” mbetet i rëndësishëm në një ndeshje “me të vërtetë të vështirë”.

“Shqipëria ka tifozë fantastikë dhe tashmë ka krijuar një surprizë këtu”, tha trajneri i Spanjës.

“Ne do t’i qasemi kësaj loje siç kemi bërë në të gjitha të tjerat, sikur të jetë e fundit. Sigurisht, ne kemi një plan loje për lojtarët që mendojmë se janë të përshtatshëm për këtë ndeshje. Ne jemi të fokusuar vetëm në fitoren sepse duam të fitojmë çdo ndeshje.”

Shqipëria mund të zërë vendin e dytë nëse mposht Spanjën dhe Kroacia mund Italinë – megjithëse, nëse diferenca e fitores së Kroacisë është dy gola më e madhe se ajo e Shqipërisë, ata do të kalonin mbi rivalët e tyre në Grupin B.

Edhe nëse Shqipëria nuk arrin të përfundojë në dy vendet e para, ajo mund të avancojë si një nga katër skuadrat më të mira të vendit të tretë.

Të fundit nga Shqipëri – Spanjë

Shqipëria do të jetë pa sulmuesin Mirlind Daku, i cili është dënuar me dy ndeshje pasi ka drejtuar tifozët në thirrje përçmuese. Klaus Gjasula ka një goditje të lehtë, por duhet të jetë në dispozicion, ndërsa Rey Manaj dhe Enea Mihaj janë rikuperuar të dy nga lëndimet.

Trajneri i Spanjës, De la Fuente, la të kuptohet për një rotacion të mundshëm, duke thënë se “gjëja e fundit që duam janë lëndimet” në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes.

Statistikat

Spanja i ka fituar të tetë përballjet e mëparshme me Shqipërinë (31 gola për, 3 kundër). Është rekordi më i mirë 100% i Spanjës kundër çdo kundërshtari, së bashku me Lihtenshtajnin dhe Maltën, me të cilët ata janë përballur dhe mposhtur në tetë raste.

Shqipëria ka pësuar të paktën dy herë në të tetë takimet e saj me Spanjën në të gjitha garat. Humbja e tyre 9-0 në një ndeshje kualifikuese për Euro në dhjetor 1990 mbetet humbja e tyre më e thellë ndonjëherë.

Shqipëria ka shënuar golin e hapjes në secilën prej dy ndeshjeve të saj në Euro 2024, edhe pse ende nuk ka fituar (1 barazim, 1 humbje). Asnjë komb nuk ka shënuar ndonjëherë golin e parë në tre ndeshje radhazi të Kampionatit Evropian dhe nuk ka arritur të fitojë asnjërën prej tyre.

Spanja do të kërkojë të fitojë tre ndeshjet e saj të para të një turneu të Kampionatit Evropian vetëm për herë të dytë, pasi e kishte bërë këtë më parë në 2008 – një edicion që do të vazhdonte ta fitonte (1-0 kundër Gjermanisë në finale)./ BBC

Top Channel