Emisioni “Në Shënjestër”  solli dje një dokumentar për Arben Ahmetajn, ish-zv. kryeministrin, të cilin SPAK kërkon ta arrestojë.

Dikur ai ishte cilësuar si një yll gjithmonë në ngjitje i Financave të Shqipërisë. Madje këtë cilësi të tij menaxhuese, nuk ngurronte ta shprehte shpesh edhe vetë kryeministri Rama.  Ai  jo vetëm që i besoi çelësat e kasafortës më të rëndësishme të shtetit, por e afroi edhe më shumë pranë vetes deri në emërimin e tij si zv/kryeministër.

Por duket se karriera në ngjitje e Arben Ahmetaj në politikë, si një magjistar i financave publike, shpejt mori një rrokopujë që nuk pati të ndalur.

Aq sa tanimë njeriu më i plotpushtetshmëm i financave shqiptare, të paktën në 10 vitet e fundit të drejtimit të qeverisë nga të majtët, do të duhet të përballet me drejtësinë, nën dyshimet se ka abuzuar nëpërmjet klientelizmit okult.

Pikërisht me paratë e shqiptarëve, për të cilat duhet të ishte gardiani i tyre më besnik.

Por si përfundoi Arben Ahmetaj, dikur ish-studenti i anglishtes, që më pas studioi për tregti dhe diplomaci në Amerikë, nga një personazh i rëndësishëm i financave në vend, në një të akuzuar të madh, që tashmë duhet të japë llogari përpara drejtësisë, për disa akuza korrupsioni, që fillojnë nga fshehje pasurie deri në pastrim parash.

Sipas dosjes së përgatitur nga SPAK që ka siguruar emisioni ‘Në shënjestër’, ajo që duket se e ka fundosur Ahmetajn, është lidhja e tij miqësore me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.

Dy njerëzit në kërkim sot nga drejtësia shqiptare për një nga aferat më të mëdha korruptive të shekullit të ri shqiptar, atë të inceneratorëve, që ka çuar më herët në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

Edhe pse Ahmetaj, është rrekur gjithmonë të mohojë lidhjet miqësore me personazhet e Mërtirit dhe Zotos, kërkimet e SPAK, kanë zbuluar se në fakt ata kanë qenë shumë të afërt me njëri tjetrin.

Lidhja e Ahmetaj të paktën me Mirel Mërtirin, fillon edhe ca më herët, se Partia Socialiste të vinte në pushtet në vitin 2013.

Fakt ky i provuar përmes zbërthimit të një celulari që u gjet në shtëpinë e ish- bashkëshortes së Ahmetaj gjatë një kontrolli të kryer në kuadër të hetimeve.

Dosja Hetimore

Nga ekspertimi i aparatit telefonik të markës ‘Blackberry’, që vërtetohet se ka qenë në përdorim nga Arben Ahmetaj; aparat që është gjetur gjatë kontrollit të banesës së shtetases Albina Maçka, tregohet njohja dhe marrëdhënia e ngushtë që ish-bashkëshorti i saj, në këtë rast Arben Ahmetaj kishte me Klodian (Mirel)Mërtirin.

Por ato të cilat do të vërtetonin lidhjen e ngushtë miqësore të Ahmetaj me Mirel Mërtirin, do të ishin bisedat telefonike.

Komunikime të cilat edhe pse ishin fshirë nga Ahmetaj, u arritën të deshifroheshin nga ekspertët e IT, kjo pas kontrollit që Byroja Kombëtare e Hetimit kreu në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetaj, aty ku në një nga raftet u gjet i fikur edhe telefoni që dikur ai përdorte në komunikimet e tij.

Siç janë edhe këto biseda, ku Ahmetaj dhe Mërtiri i drejtohen njëri-tjetrit me shkurtimet përkëdhelëse, ‘Fratello’, ‘Tigre’ apo ‘La’.

Dosja Hetimore

Në rubrikën ‘Call log’ ka rezultuar se ndërmjet Arben Ahmetaj dhe numrit të regjistruar me emrin Klod Mërtiri, ka patur 138 komunikime telefonike, të cilat janë zhvilluar në periudhën kohore 21 Korrik 2012 -10 Tetor 2012. Çka tregon më së miri afrimitetin e tyre,

Komunikimet e datës 24 Korrik 2012:

Ora 11:00:02

Klod Mërtiri: Tek dreri jam un o la. Vonohesh???

Ora 11:00:31

Arben Ahmetaj: Për pak. Jam akoma në mbledhje grupi.

Komunikimet e datës 25 Korrik 2012:

Ora 11:25:21

Klod Mërtiri: Fratelo porosinë ta kreva.

Komunikimet e datës 06 Gusht 2012

Ora 09:20:44

Klod Mërtiri: Ok. Po vendose gjë më thuaj deri nga ora 1 të paktën se nesër në mëngjes unë nisem…

Komunikimet e datës 17 Gusht 2012:

Ora 14:10:42

Klod Mërtiri: Kam 2 or që jam kthyer në Tiranë. Ti si po kalon andej?

Ora 14:11:31

Arben Ahmetaj: Ou qenke kthyer tigre. Mir kalove?

Por përpara se Arben Ahmetaj, t’i lehtësonte Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, rrugën për të përvetësuar qindra milionë euro nga inceneratorët, që nuk u vendosën kurrë në punë, duke përdorur influencën e tij si Ministër i Financave,

SPAK ka siguruar të dhëna nga të cilat rezulton se Ahmetaj si influencues dhe Mirel Mërtiri si biznesmen, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin përpara se Partia Socialiste të vinte në pushtet në vitin 2013.

Siç është edhe biseda e mëposhtme, ku Ahmetaj sigurohet që ti lerë një takim Mirel Mërtirit të njohur me emrin Klodi, me kryetarin e Bashkisë në atë në kohë në Fier, Baftjar Zeqo.

Në rubrikën “Instant Messages”, ndër të tjera është gjeneruar edhe një mesazh në të cilën përmendet emri i ‘Klod Mërtirit’.

Ky mesazh rezulton të jetë dërguar nga shtetasi Arben Ahmetaj, në datë 13 Shtator 2012, ora 15:27, drejtuar kontaktit të tij të regjistruar me emër ‘Baftjari Fier’.

Në përmbajtje të mesazhit, Arbeni i kërkon Baftjarit që të ulen një ditë për kafe së bashku me Klod Mërtirin.

Arben Ahmetaj, ora 15:27: ‘I dashur dua të ulemi këto ditë për kafe unë ti dhe Klod Mërtiri. Ben Ahmetaj’

Ky është edhe momenti kur provohet lidhja e Mirel Mërtirit e Klodian Zotos, dy njerëzit më të rëndësishëm të inceneratorëve me Arben Ahmetaj.

I cili gjithmonë ka deklaruar se ai nuk ka asnjë përgjegjësi, pasi nuk ka firmosur kurrë në një asnjë dokument shtetëror për inceneratorët.

Ndërsa SPAK, mendon se pavarësisht se Ahmetaj, nuk del të ketë firmosur në asnjë dokument të tillë që mund ta implikojë ligjërisht, ai ka përdorur miqësinë dhe influencën e tij si Ministër i Financave, për tu hapur rrugë procedurave të inceneratorëve, me qëllim për të dorovitur me qindra milionë euro miqtë e tij biznesmenë.

Nga të cilët, përpos vilave dhe apartamentëve të përfituara nëpërmjet shitje- blerjeve fiktive, për të fshehur origjinën e vërtetë të burimit të parave, duket se ka pranuar në këmbim nga Mërtiri dhe Zoto, edhe dhurata modeste, që e kanë çuar SPAK drejt gjurmëve të bashkëpunimit të tyre.

Siç janë edhe biletat e avionit apo të qëndrimeve në hotele të njohura jashtë vendit.

Dosja Hetimore

Shtetasi Arben Ahmetaj, ka ushtruar funksionin e ministrit përgjatë kryerjes së procedurave për dhënien e koncensionit të inceneratorëve apo edhe gjatë kohës së zbatimit të tyre. Nga të dhënat e administruara rezulton se Arben Ahmetaj ka pasur njohje me shtetasin Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri) por edhe me shtetasin Klodian Zoto, që shkojnë edhe në një marrëdhënie më të ngushtë miqësore.

Nga të dhënat e administruara deri në këtë moment, rezulton se ka qenë faktori kryesor, që ka bërë shoqërinë ‘Albtek Energy’ sh.p.k. të përfitojë koncensionin e mësipërm, kundrejt dhënies së përfitimeve/shpërblimeve të padrejta, shtetasit Arben Ahmetaj.

Sipas SPAK këto dyshime u përforcuan edhe më shumë nga kqyrja e kompjuterëve të Klodian Zotos.

Gjatë hetimit të kryer në vitin 2020.

Nga ku dolën edhe disa e-maile, nga ku përforcohet dyshimi se Arben Ahmetaj, ish bashkëshortja e tij dhe partnerja aktuale dyshohet se kanë përfituar shpërblime të padrejta nga bosët e inceneratorëve të cilët janë në arrati.

Ndër këto episode janë edhe dy të mëposhtmit, ku Klodian Zoto del se i ka paguar Arben Ahmetajt dhe partneres së tij qëndrimin në hotele në Milano dhe Vjenë.

Por sikur të mos mjaftonin këto prenotime hotelesh të bosit të inceneratorëve në emër të Arben Ahmetaj, e provuar është se ky i fundit ka udhëtuar disa herë në shoqërinë e tyre, jashtë Shqipërisë.

Dosja Hetimore

Më datë 19 Janar 2014, ora 14:10 dhe 14.11, shtetasi Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri, kanë dalje nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjën ajrore AUSTRIAN AIRLINES – OS 847/848 VIENA dhe ka datë hyrje në Shqipëri më 22 Janar 2014, ora 14:17 dhe 14.20 nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjë ajrore AUSTRIAN AIRLINES-OS 847/848 VIENA.

Më datë 13 Korrik 2017, ora 14.21 dhe 14:22, shtetasi Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri kanë dalje me autoveturë me targë AA908PY nga pika kufitare Kapshticë.

Gjithashtu, edhe me shtetasin Klodian Zoto evidentohet të paktën një rast i përbashkët e konkretisht kur shtetasit Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto, kanë datë hyrje në Shqipëri më

14 Prill 2013, ora 11:47 dhe 11.44 nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjën ajrore ALITALIA – AZ 510/507 ROMË.

Sa më sipër, rezulton se të tre këta shtetas udhëtojnë brenda së njëjtës ditë, me të njëjtën linjë fluturimi dhe në të njëjtin destinacion, që është shteti italian.

Gjithashtu, ka rezultuar se ndërmjet shtetasit Arben Ahmetaj, Lefter Koka dhe Alqi Bllako, ka pasur udhëtime të përbashkëta.

Në kërkesën e SPAK thuhet se: “…vlerësohet se janë përfitime të parregullta, të dhëna personit nën hetim Arben Ahmetaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllim kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën dhe funksionin e tij, sjellje kjo e personit nën hetim që i ka mundësuar shtetasve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe subjekteve tregtare të regjistruara në emër të tyre apo të afërmve të tyre apo të kontrolluara prej tyre, lidhjen e kontratave, në lidhje me kuadrin e procedurave koncesionare të nisura nga Autoriteti Kontraktor, Ministria e Mjedisit,”

Por këto zbulime të SPAK, mendohet të jenë vetëm një pjesë e majës së ajsbergut të korrupsionit që mendohet se Arben Ahmetaj ka kryer në cilësinë e zyrtarit të lartë publik.

Gjithmonë duke mbetur te Zoto dhe Mërtiri dhe miqësia e konsoliduar që ata krijuan me ministrin që do ti hapte rrugën për të përfituar miliona euro nga inceneratorët, SPAK ka zbuluar se këto tre personazhe kanë krijuar së bashku edhe një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.

Këtë herë nëpërmjet shitje-blerjeve fiktive të apartamenteve dhe vilave.

Siç janë edhe dy episode e mëposhtme të evidentuara nga SPAK.

Dosja Hetimore

Referuar deklaratave të pasurisë së shtetasit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka nuk rezulton të jetë deklaruar Vila me nr. 73 ndodhur në Green Coast Palasë.

Ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur mbi prova se shtetasi Arben Ahmetaj, bazuar në lidhjet dhe miqësitë e hershme që ka pasur me shtetasit Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri) dhe Klodian Zoto, ka ndikuar në përfitimin prej këtyre të fundit, për arritjen e nënshkrimit të kontratës së koncensionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë.

Ky dyshim i arsyeshëm mbështetet edhe në provat e administruara deri në këtë moment e konkretisht në faktin se:

Shtetësja Erjola Hoxha e cila shfaqet në njohje të hershme me shtetasin Arben Ahmetaj, dhe në vijim në një marrëdhënie të ngushtë me të, duke pasur nga kjo marrëdhënie edhe një fëmijë në vitin 2021, arrin të shtjerë në dorë një pasuri të paluajtshme që derivon nga shtetasi Klodian Zoto siç është ajo e Vilës Saphire nr. 22 në Hamallaj, Lalëz dhe me transaksione të ndërmjetme shtetasin Gerian Kuka i cili ka miqësi me shtetasin Arben Ahmetaj.

Por po kështu hetimi i SPAK ka zbuluar se ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga biznesmenët e inceneratorëve, shumën prej 491 mijë eurosh si dhe një vilë në Hamallaj.

Ndërsa në dosje theksohet se është identifikuar edhe një vilë në Green Coast në Palasë, të cilën dyshohet se Ahmetaj e ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga biznesmeni i shumëpërfolur Mond Begaj, një ish i dënuar në Itali për drogë.

Por SPAK thotë se kjo pasuri nuk është marrë përmes korrupsionit, por e klasifikon përfitimin e vilës si pasuri të padeklaruar.

Këto janë vetëm disa nga detajet e dosjes voluminoze hetimore, që rëndojnë mbi supet e një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama.

Ndërsa Ahmetaj, i cili thuhet se është larguar jashtë Shqipërisë, në një destinacion deri tani të panjohur, do të duhet të përballet dhe të mbrojë veten përballë këtyre akuzave.

Teksa Kivendi pritet ti heqë mandatin e deputetit dhe tja japë drejtësisë për gjykim.

Duke u bërë kështu ministri apo zyrtari i disatë i qeverisë Rama, që në një kohë të shkurtër akuzohet për veprime korruptive që kanë dëmtuar rëndë interesin e qytetarëve.

(BalkanWeb)