Dy mjekë të spitalit të Gjirokastrës janë pezulluar nga puna dhe iu ndalohet që të dalin jashtë vendit, me vendim të Gjykatës së shkallës së parë, pas hetimeve për rastin e vdekjes së 20 vjeçares Kristjana Muxhai, pak orë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se u bë “ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër, për caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasit Dashamir Demiri dhe Kostandin Hido, në Gjirokastër, me arsim të lartë, me profesion mjek obstetër-gjinekolog pranë maternitetit ”Dhimitër Çuçi”, dhe mjek anestezist-reanimator pranë sipas rajonal “Omer Nishani”, Gjirokastër, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.”
E reja Muxhai vdiq Nëntorin e kaluar pak orë pasi solli në jetë fëmijën e saj, dhe familjarët hodhën akuza të forta ndaj mjekëve, se e kishin neglizhuar rastin, dhe nuk i kishin injektuar medikamentet e duhura. Çështja është marrë nën hetim nga prokuroria e Gjirokastrës pas kallëzimit të bërë nga familjarët e të resë.
Kostandin Hido është i vetmi mjek anestezist reanimator në Gjirokastër, dhe pezullimi i tij nga detyra, duket se do të sjellë probleme dhe në kryerjen e operacioneve në këtë spital.
(E.K/Faxweb.al)