
Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Një burrë dhe një grua janë gjetur pa shenja jete. Autoritetet e vendit kanë konfirmuar se një grua e moshës 42 vjeçe është vrarë me armë zjarri nga një burrë i moshës 58 vjeçe. Më pas, i dyshuari për vrasjen e gruas ka kryer vetëvrasje.
Rreth orës 16:00, tek nënkalimi i fshatit Stanoc në Vushtrri, autoritete kanë identifikuar dy trupa të pajetë. Gazeta Insajderi ka mësuar ekskluzivisht se gruaja e vrarë është 42 vjeçarja, Nexhmie Musliu Haradini.
Ajo është vrarë me armë zjarri nga Arsim Morina, cili më pas vrau veten. Ai është pronari i furrës “Diellza” ku kishte punuar më herët gruaja e vrarë. Dy viktimat nuk kanë asnjë lidhje familjare përveç faktit se e ndjera ka qenë punëtore në furrën “Diellza”.
Insajderi mëson se ajo ka qenë e martuar dhe ka lënë pas vetës tre fëmijë. Dy vajza dhe një djalë. Djali është i moshës 18 vjeçare ndërsa dy vajzat e mitura.
