Policia e Shtetit festoi mes kujtimesh dhe sfidash 110-vjetorin e krijimit. Nuk janë të paktë njerëzit që meritojnë jehonë në këtë ditë. Por në këtë përvjetor për rrjedhën që morën ngjarjet dhe historinë që mbart dhe trashëgon nuk kishte personazh më të mirë se Gledis Nano.
Ish-drejtori i policisë së shtetit që erdhi me bujë dhe u largua pas vetëm 10 muajsh në detyrë. Në momentin e betimit, një nga fjalitë e tij ishte “Profesioni nuk ishte i zgjedhur si detyrë karriere, por profesion i frymëzuar nga babai im, ish-efektiv i policisë së shtetit”.
Një ditë pas 13 janarit, kësaj date të rëndësishme në kalendarin e Policisë shqiptare, Gledis Nano ka dhënë një intervistë ndryshe për “5pyetjet.al”. Ne po ju sjellim disa pjesë të saj, për jetën e Nanos pas largimit nga Policia dhe “pengun” e tij.
Me çfarë po merreni tani pas largimit nga policia e shtetit?
– Kam vijuar itinerarin tim, me angazhime akademike, intelektuale por padyshim edhe me obligimet familjare, sidomos me fëmijët e mi, të cilëve për shumë vite, nuk iu kam dhënë gjithë kohën dhe vëmendjen që ata kërkonin nga unë, për shkak të funksioneve dhe detyrave që kam kryer. Ka gjithmonë një kohë për të vepruar, siç ka edhe një kohë për reflektim. Terreni preket gjithmonë nga erozioni, ashtu si edhe moti nga rituali i stinëve dhe çdokush, ashtu si edhe unë, duhet të jetë i vetëdijshëm dhe mëse i bindur, për vendin dhe rolin që e pret në këtë cikël evolutiv.
A keni një peng nga largimi si drejtues i policisë?
– Nëse do të rrija një çast apo një ditë më tepër në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e di fare mirë, që ai njeri apo ai grup individësh që shkelin ligjin apo abuzojnë me të drejtën dhe lirinë e dikujt tjetër, do të përjetonin një çast apo një ditë më tepër, peshën e pasigurisë. Dhe kështu do të vijonte dhe vetëm kështu mund të ishte…