Ndonëse njerëzit mund të bëjnë shumë gjëra të mrekullueshme, ne nuk mund të fluturojmë. Por po të mundnim, sa të mëdha do të ishin krahët tanë?
Natyrisht, përgjigjja varet nga madhësia e personit. Por dikush që peshon rreth 70 kilogramë dhe është të paktën 1.5 metra i gjatë do të kishte një gjerësi krahësh rreth 6 metra, tha Ty Hedrick, profesor i biologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. “Gjë që, sipas mendimit tim, është goxha e vogël.”
Hedrick arriti në këtë shifër duke përdorur një ekuacion të zhvilluar nga Robert Nudds, pedagog i lartë i shkencave biologjike në Universitetin e Mançesterit. Nudds e përshkroi këtë ekuacion në një artikull të vitit 2007, botuar në Journal of Avian Biology, ku ai përshkruan përmasat e krahëve të zogjve në lidhje me masën trupore.
Por në këtë skenar hipotetik, nuk mund të shtojmë thjesht një palë krahë dhe të quhet puna e mbaruar. Kjo do të kërkonte një rikonceptim të plotë të anatomisë sonë. Nëse duam të fluturojmë, do të na duhen veçori të tjera përveç krahëve.
Së pari, duhet të shqyrtojmë çfarë lloj krahësh do të kemi. Pamja klasike e një engjëlli paraqet një njeri fluturues me një palë krahë gjigantë pendësh që dalin nga shpina. Anatomikisht, kjo do të kërkonte një teh supi të veçantë, tha Michael Habib, bashkëpunëtor kërkimor në Institutin e Dinozauarëve të Muzeut të Historisë Natyrore në qarkun e Los Anxhelesit, për Live Science. Ato krahë do të kishin gjithashtu nevojë për muskuj të fluturimit që mbështillen nga kraharori drejt shpinës.
Sipas Habibit, krahët si ato të lakuriqëve të natës do të ishin më të përshtatshme për njerëzit. Në këtë rast, i gjithë krahu dhe dora do të shtriheshin, duke krijuar gjerësinë e krahëve prej 6 metrash. Një membranë mishi do të mbulonte këto gjymtyrë për të formuar krahët.
Por që të fluturojmë me të vërtetë, pjesa tjetër e trupit tonë do të duhej të prodhonte mjaftueshëm fuqi, gjë që do të kërkonte muskuj të fuqishëm. Tek zogjtë, mesatarisht 16% deri në 18% e masës muskulore vjen nga muskujt që përdoren për fluturim. Tek disa zogj, deri në 30% e masës muskulore ndodhet në kraharor. E njëjta gjë ndodh edhe tek lakuriqët e natës, ndonëse masa shpërndahet në më shumë muskuj. “Kjo i dallon ata nga ndërtimi i një kafshe jofluturuese,” tha Habib. Ai shtoi, “Do të kishim një kraharor të madh që del përpara,” tha Habib, “dhe një shpinë super të zhvilluar.”
Lloji i fluturakëve që do të ishin njerëzit ndikon gjithashtu në këtë pyetje. “Jo çdo gjë fluturon në të njëjtën mënyrë,” tha Habib. “Se si fluturon ti përcaktohet nga anatomia jote.” Ekzistojnë disa lloje fluturimi, dhe të gjitha krijesat fluturuese specializohen në lloje të ndryshme, si përplasja e krahëve, rrëshqitja, qëndrimi pezull dhe lundrimi. Secila nga këto specializime përfshin lloje të ndryshme krahësh. Për shembull, tha Habib, një zog që përplas krahët gjatë gjithë fluturimit ka krahë më të shkurtër dhe më të trashë. Nga ana tjetër, një zog që lundron, si një albatros, ka krahë shumë më të gjatë në krahasim me madhësinë e trupit të tij. Njerëzit, me madhësinë e tyre relativisht të madhe, ka të ngjarë të qëndrojnë pezull.
Është edhe çështja e ngritjes nga toka, veçanërisht me krahë prej 6 metrash, të ngjashëm me ato të lakuriqëve të natës. Me krahë kaq të mëdhenj, nuk do të mund të përplasim shumë pranë tokës. “Nuk mund të përplasësh shumë kur je afër tokës,” tha Hedrick-u.
Habib sugjeroi atë që quhet nisje katërkëmbëshe, ose një nisje nga një pozicion ku të katër gjymtyrët fillojnë të mbështeten në tokë. Pterosaurët, të cilët ishin ndër vertebrorët e parë që evoluuan aftësinë për të fluturuar mbi 200 milionë vjet më parë, ka të ngjarë të kenë ecur dhe të jenë ngritur në këtë mënyrë, sipas një artikulli të vitit 2010. Disa lakuriqë nate, si ata lakuriqët e natës vampirë, ecin dhe vrapojnë gjithashtu në të katër gjymtyrët.
Sigurisht, njerëzit janë në një disavantazh evolucionar. Kafshët fluturuese kanë përsosur anatomitë e tyre për fluturim për mijëvjeçarë. “Do të na duheshin shumë nga përshtatjet e tjera që zogjtë kanë fituar gjatë viteve,” tha Hedrick. / Live Science – Syri.net