Pakistani po bëhet gati për raundin e parë të bisedimeve SHBA–Iran që synojnë zgjidhjen e konfliktit mes SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.

Negociatat pritet të mbahen të shtunën në mëngjes sipas kohës lokale, ndërkohë që sipas mediave, dy delegacionet nga Uashingtoni dhe Teherani kanë mbërritur tashmë.

SHBA përfaqësohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili do të asistohet nga diplomatët Kushner dhe Witkoff. Nga ana tjetër, Irani përfaqësohet nga kryetari i parlamentit të vendit, Muhamed Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm.

Ndërmjetësit e asaj që analistët e kanë konsideruar si një mision të pamundur do të jenë kryeministri i vendit pritës, Shehbaz Sharif, dhe shefi i ushtrisë, feldmarshal Asim Munir.

Islamabadi ndërkohë është vendosur në “shtetrrethim” nga masa të shumta sigurie.

Delegacionet pritet të takohen në këtë hotel, i cili është zbrazur nga mysafirët dhe është vendosur nën kontrollin e qeverisë, ndërsa rrugët që të çojnë në zonë janë mbyllur.

Pikat e kontrollit, barrikadat dhe patrullat janë shtuar në të gjithë qytetin dhe janë vendosur forca shtesë sigurie.

Nga çfarë dihet deri më tani, në tryezën e bisedimeve Pakistani do të ngrejë shqetësimet e vendeve të Gjirit Persik të sulmuara nga Irani dhe do të përpiqet të bëjë Libanin pjesë të marrëveshjes së paqes.

Megjithatë, çështja më e vështirë mbetet Ngushtica e Hormuzit dhe do të mbetet për t’u parë se sa fuqi do të ketë Islamabadi për arritjen e asaj që bota po pret: lëvizjen e lirë dhe të sigurt në ujërat e rajonit.

Nga ana tjetër, mediat bëjnë me dije se edhe Izraeli dhe Libani po bëhen gati për të negociuar paqen mes tyre.

Bisedimet pritet të zhvillohen në Departamentin e Shtetit në Uashington, në nivel ambasadorësh.

GEAM Sh.p.k