Eurodeputeti Fredi Beleri i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Fierit ku ka kërkuar lirimin me kusht. Seanca e parë për të shqyrtuar këtë kërkesë të Belerit është realizuar në 17 korrik, por është shtyrë për shkak të mungesës së juristit të burgut të Fierit. Belerit i kanë mbetur edhe rreth 2.5 muaj burg nga masa e dënimit, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë hekurave të qelisë duke shfrytëzuar lejen e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.
Fredi Beleri ndodhet prej 5 ditësh në Strasburg, ku kreu betimin e tij si eurodeputet dhe ishte i pranishëm në punimet e Parlamentit Europian. Para Strasburgut, ish-kryebashkiaku i Himarës vizitoi Athinën dhe zhvilloi edhe një takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Beleri u zgjodh eurodeputet i kandiduar nga partia e Mitsotakis, “Demokracia e Re” në zgjedhjet europiane të 9 qershorit. Pas dënimit nga Apeli me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatin e të zgjedhurit si kryetar bashkie në Himarë dhe më pas presidenti i Republikës shpalli zgjedhjet e pjessmeshme për kreun e kesaj bashkie më 4 gusht të këtij viti.