Kryeministri Edi Rama zbuloi sot se spitali i Fierit që do të ndërtohet së shpejti, do të drejtohet nga menaxherë turq për një periudhë kohe nga 1 deri në 3 vite. Rama tha se ai nuk po bëhet për qëllime elektorale, pasi ka qenë një objektiv i kahershëm i qeverisë së tij, dhe vetëm tani u arrit që të gjendej Turqia si donatore.
Në këtë spital sipas Ramës do të aplikohet për herë të parë autonomia spitalore, ndërkohë që stafi do të përbëhet nga 50 turq, në nivele drejtuese dhe 320 shqiptarë në nivele më të ulëta, që do të përzgjidhen përmes testimit.
“Kemi vite që përpiqemi që të gjejmë financime për spiotalin e Fierit, se nuk është vetëm kostoja e godinës, por më shumë e logjistikës së brendshme. Kemi dështuar më shumë se njëherë, edhe pse kemi pasur interesa nga faktorë të ndryshëm, për Buxhetin e Shtetit ka qenë e pamundur mbulimi i kësaj kostoje. Edhe me qeverinë e Turqisë edhe me presidentin Erdogan kjo çështje ishte shtruar edhe më parë, dhe për njëmijë e një arsye kjo u bë e mundur vetëm së fundmi.
Ky spital do ti shërbejë një zone më të gjerë sesa Fieri, do të lehtësojë punën e spitalit aktual. Spitali rajonal i Fierit do të jetë publik, pra do të jetë pa pagesë si të gjitha spitalet tona publike, pa fatura ekstra për njerëzit, ajo që e konsideroj unë si shumë të rëndësishme, është se do të ketë një teknologji shumë moderne, të gjitha aparaturat logjistika do të vijë nga Turqia, dhe do të jetë një qendër e transformimit të dijes. Për një periudhë 1-3 vjeçare do të përbëhet nga 50 personel turk, dhe 320 personel shqiptar.
Personeli turk do të ketë menaxhiminm, shefat e pacioneve, te kryeinfermierët, ndërsa stafi shqiptar do të bëhet përmes një testimi nga menaxherët turk. Spitali ”Memorial” se kështu kemi vendosur ta quajmë do të jetë i pari ku do të projektohet autonomia spitalore, me pavarësi 100% nga Ministria e Shëndetësisë. Do të ketë një sistem pagash që e vlerëson mjekun sipas kontributit të tij, duke bërë atë që ndodh në shumë vende”, tha Rama në një bashkëbisedim me qytetarë në Fier.
(E.K/Faxweb.al)