Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kryer disa bashkëbisedime me sipërmarrje të ekselencës turke për disa projekte në vend.

Ndër projektet janë ndërtimi i fabrikës së vaksinave, Teknopark Albania, sistemi i kontrollit të territorit me dronë superinteligjentë si dhe në tërësi programi i mandatit të tretë për infrastrukturën kombëtare.

Fabrikën e vaksinave Rama e paralajmëroi para zgjedhjeve të 25 prillit, dhe ajo do të shërbejë për prodhimin e 7 llojeve të vaksinave.

Teknopark Albania, është projekt për një qendër të teknologjisë së lartë për kompanitë HighTech, Star Up-et e kërkimin shkencor sipas modelit në Turqi.

Kurse kontrolli i territorit me dronë superinteligjentë synon të sjellë prodhimin e të dhënave në kohë reale për rendin publik, tokat, bregdetin e rrugët, sipas Ramës.

Prej dje Rama ndodhet në Turqi për një vizitë 2-ditore për marrëveshjet 2-palëshe si dhe për projektet me sipërmarrësit turq.

STATUSI NGA EDI RAMA

Ankara – Ditë bashkëbisedimesh të detajuara me sipërmarrje të ekselencës turke për:

* Ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave, si zemra e një qendre të klasit të parë të prodhimit farmaceutik

* Teknopark Albania, një qendër e teknologjisë së lartë në periferi të kryeqytetit, për kompanitë HighTech, Start Up-et e kërkimin shkencor, sipas modelit të suksesshëm të jetësuar në Turqi, si katalizator i transformimit ekonomik e social dhe krijimit të vendeve cilësore të punës për të rinjtë

* Sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik natyrisht e të tjera akoma

* Programin e Mandatit të Tretë për infrastrukturën kombëtare