Policia e Shtetit me urdhër të SPAK ka zhvilluar aksion në disa qytete, ku janë arrestuar disa policë dhe prokurori i rrethit Kukës Xhevahir Lita.
Operacioni u shtri në disa qytete, mes tyre Tirana, Shkodra dhe Kukësi.
Mësohet se në mesin e të arrestuarve është dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili është i njohur për lidhje me politikën, dhe është shpallur edhe investitor strategjik nga qeveria Rama.
Burime bëjnë me dije se Gjoka është arrestuar pikërisht në banesën e tij në Velipojë. Ndaj tij ka pasur akuza se ka vrarë një grua të moshuar, për ti ndryshuar asaj testamentin dhe për ti marrë një pronë të konsiderueshme në bregdet.
Ai ka qenë po ashtu i akuzuar nga opozita se ka ndërhyrë në zgjedhjet e fundit lokale në Velipojë, në favor të kandidatit socialist Benet Beci.
Gjoka po ashtu ka qenë i njohur me kompaninë e tij në fushën e lojërave të fatit, ndërkohë që iu ka shpëtuar disa atentateve, me qëllim eliminimin e tij.
Në mesin e të arrestuarve është arrestuar edhe ish-drejtori i Forcave Operacionale, Oltion Bistri.
Ky i fundit u largua nga ky post vetëm pak ditë më parë, Bistri u transferua nga kreu i forcave operacionele në drejtorinë e krimeve në Policinë e Shtetit.
Mësohet se në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar urdhër arreste dhe për persona që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë që pritet bashkëpunimi me agjensitë e huaja për vendosjen e tyre në pranga.
Ndërkohë sot në orën 10.00 në ambientet e SPAK do të mbahet Konferencë për shtyp lidhur me operacionin e përbashkët shqiptaro-italian. Nuk dihen ende detaje të hollësishme mbi akuzat që rëndojnë ndaj këtyre personave.
(E.K/Faxweb.al)