Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbajti fjalën gjatë mbledhjes së Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që po zhvillon punimet në Tiranë.

Spiropali vlerësoi sot se dalja e Shqipërisë nga lista e vendeve në monitorim dhe vendosja në proces post- monitorimi erdhi si rezultat i reformave të ndërmarra.

Kryetarja e Kuvendit përshëndeti vendimin e Këshillit të Europës për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim dhe vendosjen në proces post-monitorimi, ndërsa rikonfirmoi angazhimin e Kuvendit për të udhëhequr procesin e reformave.

“Çështjet kryesore që kanë mbajtur Shqipërinë me status nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në mënyrë të përsëritur kanë qenë reformat gjithëpërfshirëse në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, reforma administrative-territoriale, ligji për mbrojtjen e pakicave, reforma zgjedhore, liria e medies, reforma në administratën publike”, tha Spiropali.

Për Spiropalin, progresi i dukshëm i Reformës në Drejtësi, vlerësimi nga Moneyval në tetor 2023 dhe vendimi për ta hequr Shqipërinë nga lista e shtuar nën monitorim, ligji i vitit 2017 për pakicat dhe reforma administrative e vitit 2014, ishin disa nga elementet thelbësorë që çuan në vendimin pozitiv  të prillit 2024 për ta kaluar Shqipërinë në fazën post monitorim.

“Ky vit shënon 75-vjetorin e Këshillit të Europës, një moment historik që thekson rëndësinë e qëndrueshme të këtij institucioni në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në gjithë kontinentin tonë. Këshilli i Europës vijon të kontribuojë me propozimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e dobishëm që Asambleja Parlamentare e KiE-së dhe ky komision kanë luajtur në rrugëtimin e Shqipërisë drejt demokratizimit.

“Që në fillim të vitit 1990 Këshilli i Europës ka qenë një partner i palëkundur i kalimit të Shqipërisë nga një regjim totalitar në një demokraci të gjallë. Zgjedhjet e para pluraliste në mars 1991 shënjuan nisjen e këtij rrugëtimi kur Asambleja e Këshillit të Europës dërgoi grupin e parë të vëzhguesve në ato zgjedhje, që u faktua me dhënien e statusit të të ftuarit special për Shqipërinë në nëntor 1991”, shtoi ajo.

Top Channel