Në një seancë që është parashikuar të mbahet me datë 21 shkurt, Gjykata e Tiranës pritet të shqyrtojë padinë e Ilir Metës me objekt zgjidhje martese nga bashkëshortja e tij, deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi.
Ish-presidenti deklaroi në kulmin e hetimeve të SPAK se kishte paraqitur në gjykatë kërkesën për divorc nga Kryemadhi pas 27 vitesh martesë.
Mes të tjerash, Ilir Meta në padi rendiste disa nga arsyet që e çuan drejt divorcit me nënën e tre fëmijëve, ku një prej tyre është dhe politika.
“Vitet e fundit kam konstatuar fillimisht mosdakordësi dhe kontradikta që kanë ardhur duke u shtuar fillimisht për shkak të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me zhvillimet në aspektin politik, përfaqësues dhe vendimmarrës, por që me kalimin e kohës ato u bënë prezente edhe në raportin tonë bashkëshortor, deri sa kohët e fundit këto mospërputhje qëndrimesh e mendimesh edhe ndaj njeri-tjetrit kanë sjellë si pasojë grindje të herëpashershme, duke tronditur thellë marrëdhënien tonë bashkëshortore,” thuhet në padi.
Sipas ligjit, seanca e parë është ajo e pajtimit, ku palëve u jepet edhe njëherë mundësia për t’u ribashkuar. Nëse pajtimi nuk arrihet, gjykata vijon më shqyrtimin e kërkesës për divorc dhe firmosjen e tij.