Pasditen e sotme Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së në Durrës-Kavajë, në bashkëpunim me prokurorinë e Durrësit, ka finalizuar një hetim disa mujor në lidhje me një efektiv të Anti-drogës të përfshirë drejtëpërdrejtë në trafikun e drogës.
Punonjësi i Policisë E.S., i cili mbante postin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës, u ndalua për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës“ dhe “Prodhim e shpërndarje të lëndëve narkotike”, pasi dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.
Njoftimi i SHÇBA:
Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Durrës-Kavajë në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës finalizuan me sukses operacionin në funksion të procedimit penal nr. 444, viti 2020, për veprat e “Shpërdorimit të detyrës“ dhe “Prodhim e shpërndarje të lëndëve narkotike”.
Pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësit të Policisë E.S., i cili kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës.
Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.
Gjithashtu, specialisti i Antidrogës në bashkëpunim me këta shtetas, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre.
Mbi bazën e rregjistrimit të procedimit penal dhe në perfundim të hetimeve paraprake, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi caktimin në mungesë të masës së sigurimit personal ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj shtetasit E.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Për bashkëpunëtorët e tij, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.