Nga sot, më 9 korrik, kombëtarja shqiptare e futbollit është zyrtarisht pa trajner. Sylvinho-s i ka skaduar kontrata dhe mgjithëse është thënë shumë herë se do rinovonte ende mungon e zeza mbi të bardhë. Madje kjo tani ka pak gjasa që të ndodhë.
Duke nisur nga janari braziliani ka patur në tavolinë kontratën e re 2-vjeçare, por në të gjitha rastet ka shtyrë rinovimin. Sipas Sylvinhos në atë periudhë ishte më e rëndësishme përgatitja për Evropianin sesa kjo çështje, që tani është bërë shumë delikate.
Për herë të fundit Sylvinho ishte në Shqipëri më 25 qershor, pas eliminimit të kombëtares në Evropian. Atë ditë braziliani u shpreh se do diskutonte rinovimin pas pushimeve, që ai po i kryen në Portugali ku ka edhe familjen. Megjithëse kjo pritej të ishte java vendimtare gjasat janë të mëdha që mos të ketë të reja. Kjo në një kohë kur edhe presidenti i federatës shqiptare, njëkohësisht zëvendës presidenti i UEFA-s Armando Duka ndodhet në Gjermani për kampionatin Evropian.Nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e federatës janë duke menduar për pasardhësin e brazilianit, ndërsa emri i Sylvinhos është përmendur në Spanjë dhe Brazil për të vijuar karrierën. 50-vjeçari firmosi me Shqipërinë 9 janar të 2023 një kontratë për 1 vit e gjysmë nga e cila përfitoi një pagë 1.1 milionë euro në vit bashkë me dy ndihmësit Pablo Zabaleta dhe braziliani tjetër Doriva.