Qeveria synon të nxisë investimet në turizëm përmes aplikimit të disa skemave që përfshijnë nga subvencionimi i interesave të kredive deri te mundësitë e Partneriteteve Publike-Private (PPP).
Draft Strategjia Kombëtare e Turizmit e nxjerrë për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në një pjesë të veçantë të saj, ndalet edhe tek këto skema, duke i detajuar sipas disa veçorive.
Në mënyrë të tërthortë, qeveria pranon se projektet masive të fshatrave turistikë janë në fakt ndërtime me funksion rezidencial dhe jo resorte të mirëfillta turistike. Këta të fundit, sipas qeverisë kanë siguruar financim nga bankat duke rezultuar fizibël nga shitjet e ndërtimeve rezidenciale.
“Aktualisht, projektet e investimeve në shkallë të gjerë po e bazojnë fizibilitetin e tyre financiar kryesisht në shitjet e pasurive të paluajtshme/rezidencave, ose në kapitalin e tyre, pasi kushtet e financimit tregtar në këtë fazë nuk ofrojnë një burim të përshtatshëm financimi për projekte të tilla, si në aspektin e periudhave të shlyerjes po ashtu edhe të normave të interesit.
Për rrjedhojë, projektet e zhvillimit të turizmit në shkallë më të vogël kanë opsione financimi të kufizuara, ndërsa projektet në shkallë të gjerë janë të fokusuara më së shumti në komponentin rezidencial, çka do të thotë se perspektiva për zhvillim është e orientuar drejt ndërtimit masiv të pronave të paluajtshme si “resorte” dhe jo në zhvillimin profesional të resorteve turistike të shfrytëzimit të miksuar”, thuhet në dokument.
Në këtë kontekst strategjia nënvizon se qeveria shqiptare do të adresojë mungesën e efikasitetit të tregut nëpërmjet skemave të përshtatura të nxitjes që mundësojnë ngritjen e resorteve të shfrytëzimit të miksuar dhe të projekteve private në shkallë të vogël në sektorin e hotelerisë, plotësisht funksionale dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale.
“Duke rregulluar zhvillimin e projekteve të “shfrytëzimit të miksuar”, objektivi është të thjeshtohet cikli i investimit për të mbështetur qëndrueshmërinë afatgjatë dhe në kushtet aktuale të tregut, qeveria duhet të ofrojë stimuj të synuar për të mundësuar zhvillimin e balancuar të dhomave të hoteleve, rezidencave të markës dhe jo të markës, ndryshe nga ç ‘ndodh aktualisht. Cikli i investimit duhet të vijojë, por duhet të drejtohet në mënyrë efikase dhe kjo gjë mund të arrihet përmes një skeme të mirëstrukturuar dhe të fokusuar për nxitjen e investimeve.
Këto skema duhet të shfrytëzojnë partneritetet dhe instrumentet e ndryshme financiare për të krijuar një sistem të fortë mbështetës për zhvilluesit dhe sipërmarrësit, si dhe të përfshijnë mundësisht instrumente të tilla si stimujt fiskalë, stimujt jofiskalë, subvencionet për mbulimin e normës së interesit, reduktimin e barrierave financiare, kreditë me interes të ulët, grantet dhe të ngjashme”, thuhet në dokument.
E ndarë në në pikë tjetër dokumenti saktëson edhe veçoritë kryesore të këtyre skemave Nxitëse për investimet në turizëm ku përfshihen disa elementë.
Krijimi i një skeme të re investimi për zhvillimin e projekteve të shfrytëzimit të miksuar. Këto skema janë të orientuara drejt planifikimit strategjik urban dhe reformave politike që stimulojnë zhvilluesit përmes subvencioneve fiskale, si subvencionet për mbulimin e normës së interesit, lehtësirat tatimore ose proceset e thjeshtuara të dhënies së lejeve (Në përputhje me iniciativat 1.1, 2.2 dhe 2.3). Mekanizmat financiarë, të tillë si partneritetet publike-private (PPP), mund të përdoren për të shpërndarë rrezikun financiar dhe për të nxitur investimet private në projektet publike. Skema duhet ta vërë theksin te qëndrueshmëria dhe të pasqyrojë qëllimet më të gjera të zhvillimit urban për krijimin e hapësirave urbane më kohezive, më efikase dhe më tërheqëse.
Skemat e investimeve për NMVM-të në sektorin e turizmit. Zakonisht, NMVM-të kanë akses të kufizuar në kapitale të mëdha, gjë që ua vështirëson nisjen apo zgjerimin e veprimtarive pa mbështetje të jashtme financiare. Duke prezantuar skema specifike investimi për NMVM-të, të tilla si subvencionet për mbulimin e normës së interesit apo grantet, ose stimuj fiskalë si lehtësirat tatimore, atëherë barra financiare në këto ndërmarrje më të vogla mund të ulet ndjeshëm. Kjo lehtëson pjesëmarrjen e tyre në tregun e turizmit, diçka të cilën nuk do të mund ta përballonin pa mbështetje të jashtme;
Skemat e investimeve për zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit. Këta stimuj duhet të jenë specifikë vetëm për investimet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit. Ato duhet të konsistojnë në stimuj të ndryshëm fiskalë dhe jofiskalë, duke stimuluar më tej investimet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit (Në përputhje me iniciativën 1.5). Këto investime duhet të plotësojnë stimujt e tjerë dhe mund të kombinohen./ Monitor