Policia ka arrestuar dy të rinj, 34 dhe 30 vjeç, pasi në makinën e tyre në lagjen 13 në Durrës, u gjet lëndë narkotike.
Po ashtu, në prangat e policisë kanë rënë edhe persona të tjerë, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna e pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në lagjen nr. 13, Durrës, 2 shtetas dispononin lëndë narkotike dhe po përgatiteshin për ta shitur atë në doza, organizuan punën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. D., 30 vjeç dhe A. N., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Nissan” me drejtues shtetasin A. N., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi prej 61.5 gr lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
G.B., banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin e Policisë Rrugore dhe si pasojë e përplasjes është lënduar lehtë punonjësi i Policisë Rrugore, i cili pas ka marrë mjekim është larguar në banesë.
E.M., 21 vjeç, banues në Krujë, pasi në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç, duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi është përplasur me një tjetër mjet me drejtues shtetasin A. M., 58 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
E. A., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 13, Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.