Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Deçan, ku mbetën të vrarë të paktën tre persona.
Osmani përmes një postimi në Facebook ka ftuar organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë.
“Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin. Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë. Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkruan Osmani.
Reagime te tjera
-Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti: “Plaga e pashëruar rëndohet edhe më shumë nga skenat shokuese nga Gllogjani i Deçanit të Kosovës time. Jeta e njeriut është e shenjtë, Zoti e fal, Zoti e merr, jo njeriu. E dënoj në formën më të rreptë të mundur sulmin ç’njerëzor në Gllogjan që la viktima dhe të plagoaur.I tronditur thellë, bashkëndjej me familjet e viktimave dhe me çdo qytetarë të Kosovës e të gjithë shqiptarët kudo që jemi në këtë botë të trazuar”
-Kryeparlamentari Glauk Konjufca: “Sonte u tronditem nga rasti tragjik i cili ndodhi në Gllogjan të Deçanit. Nga lajmet qe po lexojmë deri tani, kanë humbur jetën tre qytetarë ku dy prej tyre janë fëmijë. Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave nga kjo ngjarje me përmasa kriminale. I nxis organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e këtij krimi të rëndë dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Orët janë të gjata”.
-Lideri i AKR-së Ramush Haradinaj: “I trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne. Falënderoj kryetarin Bashkim Ramosaj, Policinë, Prokurorinë dhe ekipet mjekësore emergjente për punën e tyre. Apeloj që organet e rendit sa më parë, të zbulojnë e të kapin autorin e këtij veprimi të ulët kriminal dhe i njëjti të sjellet para drejtësisë”.
-Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli: “Jemi të tronditur nga lajmi për të paktën katër të vrarë në fshatin Gllogjan të Deçanit. Lutemi për të lënduarit dhe shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave. Tragjedi si kjo duhet të na bëjnë të zgjohemi dhe të kërkojmë zero tolerancë për armëmbajtje dhe për kriminelët e tillë!” shkroi Pacolli në një postim në Facebook.
-Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku “I trishtuar e tronditur me aktin makabër sonte në Deçan. Është më shumë se krim! Në këto momente të rënda, jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në Deçan. Ndajmë dhimbjen dhe lutjet me ta. Organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë shpejtë e në kapacitet të plotë. Të sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e këtij krimi monstruoz, që sulmon një autobus të mbushur me nxënës e fëmijë”, ka shkruar Abdixhiku.