Tre adoleshentë humbën jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës pasi u shemb një objekt. Familjarët që po i kërkonin arritën të lokalizojnë viktimat vetëm përmes dridhjeve të telefonit, kur u afruan te vendi i ngjarjes.

Një ngjarje e rëndë tronditi Kosovën mbrëmjen e së shtunës, ku tre adoleshentë humbën jetën pasi një objekt i braktisur në të cilën po luanin u shemb në rrethana ende të panjohura, duke i zënë poshtë tij.

Rasti ndodhi në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ndërsa viktimat janë Ramë Mehmeti, Ideal Ramaj dhe Veton Morina të gjithë të moshës 13 dhe 15-vjeçare.

Objekti njëkatësh ishte djegur gjatë luftës, ndërsa për më shumë se dy dekada e gjysmë nuk ishte rikonstruktuar asnjëherë.

Kamerat e sigurisë të vendosura pranë shtëpisë më të afërt kanë fiksuar kohën 16:35 minuta si momentin kur është shembur objekti, që dikur shërbente si market i lagjes. Trupat e pajetë të tre të rinjve u nxorën rreth orës 23:00.

Familjarët filluan kërkimet për fëmijët menjëherë sapo ata nuk po lajmëroheshin në telefonat e tyre.

Megjithatë, pikërisht dridhja e telefonit bëri që të ndihmojë fshatarët të identifikonin vendin se ku ishin tre të rinjtë.

“Telefoni iu bënte por nuk e hapshin, edhe ky objekti kur e kanë pa mbrëmë rreth orës 22:00 që është shembur kemi ardhur këtu edhe kur kemi thirr ne telefona kanë bërë telefonat nën gërmadha”, u shpreh Përparim Ademaj, familjar i viktimave

Banorët e fshatit u mobilizuan për të gjetur tre të rinjtë dhe për orë të tëra vijuan kërkimet deri në momentin kur kuptuan se situata është më e rëndë dhe kërkuan ndihmën e policisë.

“Njëri prej tyre e kishte zënë në këmbë, shumë të dëmtuar, trupat i kemi hipur në urgjencë, me një veturë, dy me një tjetër edhe janë çuar për Gjakovë”, deklaroi Bajrush Brahimaj, banor i fshatit.

Familjarët të dielën kishin hapur dyert për ngushëllime, ndërsa reagime për rastin kanë shprehur edhe krerët e shtetit si dhe të gjitha institucionet qendrore dhe lokale.