Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e djeshme qytetarët italianë të Ardea-s, në periferi të Romës. Një burrë 34-vjeçar, i sinjalizuar edhe më parë nga fqinjët e tij për shqetësim publik, ka hapur zjarr në një park duke lënë të vdekur dy vëllezër 5 dhe 10 vjeç që po luanin aty pranë dhe një të moshuar, që kishte shkuar në park për t’ua ardhur në ndihmë sapo kishte dëgjuar krismat.

 “Mjekët bënë të pamundurën për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve. I pari që ndërroi jetë ishte 5-vjeçari, ndërsa më pas humbi jetën edhe vëllai i tij”, u shpreh Alessio D’Amato, një zyrtar i autoriteteve lokale shëndetësore. “Jam thellësisht i tronditur nga ajo që ndodhi dhe i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe komunitetit në Ardea, të cilët sot janë në zi”, shtoi ai.

Karabinierët GIS, grupet speciale të ndërhyrjes së shpejtë, negociatorët ushtarakë dhe një ekip API i komandës së Romës mbërritën menjëherë në vend dhe u përpoqën ta bindnin që të dilte nga shtëpia, por pasi nuk morën asnjë përgjigje ndërhynë dhe e gjetën të vdekur në dhomën e gjumit.