Ngushtohet laku për “non gratat” dhe politikanët e zhytur në afera. Amerikanët e kanë bërë të qartë se nuk e tolerojnë korrupsionin dhe janë vënë në lëvizje. Teksa pritet miratimi i ligjit që godet të korruptuarit në Ballkan, është vënë në lëvizje koordinatori i DASH kundër korrupsionit Richard Nephew.

Për herë të parë, sekretari Blinken emëroi një koordinator kundër korrupsionit, i cili do merret me emrat non grata, sanksionet ndaj të korruptuarve dhe do bashkëpunojë me qeveritë aleate për ndëshkimin e emrave të zhytur në afera. Pak ditë më parë ai priti në një takim krerët e SPAK dhe fill pas këtij takimi u hap dosja për Ilir Metën.

Lajmi i keq nuk është vetëm për ish-presidentin, por edhe për Ramën, Berishën, ministrat e shumë të tjerë, pasi vetë Richard Nephew do të vizitojë Evropën ku do të qëndrojë 2 javë dhe do të zhvillojë takime në shumë shtete, përfshirë dhe Ballkanin. Lajmin e ka dhënë vetë koordinatori, i cili pak ditë më parë mbajti një konferencë për mediat dhe paralajmëroi një turn ë Evropë. “Në fillim të shtatorit nisemi për në Evropë, duke mbajtur udhëtimin tonë të parë”, tha ai.

Vizita e tij duket se është një kambanë alarmi për të gjithë, pasi sinjalet janë se SHBA do ketë një koordinim me vendet e BE për zyrtarët e zhytur në afera. Axhenda e vizitës nuk dihet, por mbetet të shihet nëse vendi ynë do jetë pjesë e këtij turi.

Vetë  Richard Nephew, pak ditë më parë në konferencën e tij për mediat foli dhe për Shqipërinë dhe masat e marra ndaj Berishës.

Ne do të vazhdojmë të promovojmë llogaridhënien e zyrtarëve të korruptuar përmes të gjitha programeve tona, atë të sanksioneve, kufizimeve financiare dhe të vizave nga Departamenti i Shtetit”, tha zoti Nephew.

Me tej ai shtoi se Shqipëria është një partner i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Një nga takimet e para që kam pasur kur e kam marrë këtë pozitë ka qenë me Prokurorin Special të Shqipërisë si dhe me disa prej zyrtarëve të tij. Ishte shumë e qartë për mua, që në atë diskutim, se Shqipëria është një partner i rëndësishëm ndërsa ne kemi disa programe për ndërtimin e kapaciteteve kundër korrupsionit si dhe kemi disa aktivitete të tjera që janë duke u mbajtur me Shqipërinë”, tha i emëruari i qeverisë amerikane për luftën globale kundër korrupsionit.

Vizita e tij në kontinentin evropian duket se do bëjë me dhimbje koke shumë emra. /Pamfleti