Një armëpushim midis Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah nisi ditën e sotme pasi të dyja palët pranuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Franca.

Ushtria e Libanit, e ngarkuar me sigurimin e zgjatjes së armëpushimit, tha se po përgatitej të vendoste në jug të vendit, një rajon që Izraeli e bombardoi rëndë në betejën e tij kundër grupit militant të mbështetur nga Irani, së bashku me qytetet dhe qytezat lindore dhe bastionet e Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit

Ushtria kërkoi që banorët e fshatrave kufitare të vonojnë kthimin në shtëpi derisa ushtria izraelite të tërhiqet.

Izraeli tha se identifikoi operativët e Hezbollahut që po ktheheshin në zonat afër kufirit dhe kishte hapur zjarr për t’i parandaluar ata që të afroheshin. Nuk kishte shenja se incidenti do të cenonte armëpushimin, sipas Reuters.

Marrëveshja, e cila premton t’i japë fund një konflikti përtej kufirit izraelito-libanez që ka vrarë mijëra njerëz që kur u ndez nga lufta e Gazës vitin e kaluar, është një arritje për SHBA-në në ditët e fundit të administratës së Presidentit Joe Biden.

Pakti ka të ngjarë t’i mundësojë Izraelit të fokusohet më nga afër në konfliktin në Gazën e shkatërruar, ku është zotuar të shkatërrojë armikun e tij prej kohësh, grupin islamik palestinez Hamas, i cili udhëhoqi sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj komuniteteve izraelite.