Në stadiumin olimpik të Tokio ka nisur ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, edicioni nr.32 i saj. Një event që duhej të ishte zhvilluar një vit më parë, por që u shty për verën 2021 për shkak të pandemisë Covid-19, që gjunjëzoi botën.
Gjithsesi, pas shumë mundimesh, izolimesh dhe përpjekjesh, jeta rinisi dhe bashkë me te edhe sporti, që tashmë po zhvillon eventin e tij më të rëndësishëm. Në këtë Olimpiadë do të marrin pjesë sportistët më të mirë nga e gjithë bota, ndërkohë që do të parakalojnë 206 delegacione olimpike.
Kjo konsiderohet si Olimpiada e shpresës, e rilindjes dhe triumfit, për të rikthyer buzëqeshjen në gjithë botën pas një viti të vështirë, ku pandemia ishte kryefjala. Ceremonia e hapjes po zhvillohet pa praninë e tifozëve, ndërkohë që në stadiumin me 65 mijë tifozë janë vetëm 1000 të ftuar vip. Olimpiada do të hapet nga perdandori i Japonisë dhe presidenti i IOC, Thomas Bach.
Në fushën e stadiumit olimpik ka nisur një spektakël i vërtetë ngjyrash, organizuar me mjeshtëri nga Japonia, ku shfaqet rikthimi i sportit pas heshtjes së krijuar prej pandemisë. Natyrisht që ky spektakël i reduktuar pasqyron edhe traditën e kulturën e Japonisë, të një vendi që pë përballet me një sfidë të vështirë, siç janë Lojërat Olimpike.
Koreografia është mahnitëse, ashtu sikurse i takon një eventi të tillë olimpik. Një ceremoni madhështore, që po transmetohet “live” në të gjithë botën. Në fund të spektaklit do të kryhet edhe parakalimi i delegacioneve olimpike, ku Shqipëria do të dalë e 12-ta (sipas alfabetit japonez).