Në Itali nisi të shtunën gjykimi për ish-ministrin e Brendshëm, Mateo Salvini.
Shefi i partisë “Lega” akuzohet se u privoi lirinë dhe abuzoi me postin gjatë incidentit të vitit 2019, kur urdhëroi të mos zbarkoheshin prej anijes mbi 150 emigrantëve të shpëtuar në Detin Mesdhe nga organizata “Open Arms”.
Ai rrezikon deri 15 vite burg.
Salvini qe ministër nga qershori 2018 deri në shtator të 2019-ës dhe pretendon se vendimet kishin si qëllim parësor mbrojtjen e sigurisë së Italisë, ndërsa organizatat humanitare i ka akuzuar si organizata kontrabandiste.
Seanca gjyqësore e së shtunës u mbajt në Palermo pasi u shty një muaj më parë.
Prokurorët mësohet se kanë kërkuar mbi njëzet dëshmitarë rreth çështjes.
Mes personazheve të njohura pritet të dëshmojnë ish-kryeministri italian, Xhuzepe Konte, dhe aktori amerikan, Riçard Gir, i cili në disa raste i ka ndihmuar me ushqime emigrantët e bllokuar në Detin Mesdhe.
Partia “Lega” e Salvinit vazhdon të jetë pjesë e qeverisë italiane megjithëse sondazhet tregojnë se e ka humbur mbështetjen e dikurshme popullore.