Ka nisur sot mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar për Refomën Zgjedhore me bashkëkryetarë Damian Gjiknurin nga PS dhe Enkelejd Alibeaj nga PD.

Puna e komisionit është parashikuar të zgjasë tre muaj, por nuk përjashtohet mundësia e shtyrjes së afatit.

Dy bashkëkryetarët, të cilët janë të dy me të drejtë vetoje, kanë rënë dakord në këtë mbledhje të parë, që Komisioni të ketë mbështetjen e ekspertëve të OSBE/ODIHR por edhe organeve të tjera ndërkombëtare.

Alibeaj u shpreh se me rëndësi është që puna e Komisionit për Reformën Zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse.

“Thelbi i veprimtarisë duhet të jetë në dy çështje, krijimi i një procesi sa më gjithëpërfshirës, së dyti duke iu referuar edhe rendit të ditës, unë kam kërkuar të dëgjojmë ekspertët e KE, dhe organeve të tjera ndërkombëtare. Lidhur me rendin e ditës, për sa i përket çështjes së numrit të ekspertëve, kanë qenë katër ekspertë, dy nga njëra palë dy nga tjetra”, deklaroi Alibeaj.