Prej 1 qershorit ka nisur zbatimi i marrëveshjes për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila garanton të drejtat e pensioneve për rreth gjysmë milioni shqiptarë dhe 4 mijë italianë.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024, u finalizua me dokumentin përkatës që iu dorëzua kryeministrit Rama në mesin e muajit maj nga homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, gjatë vizitës së saj në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Europian.

Marrëveshja garanton një sërë mundësish për ata që kanë punuar në të dyja vendet. Pjesë e saj janë ata që, për shkak të mosplotësimit të kushteve minimale për pension, janë përjashtuar deri tani nga pagesa e tij. Kjo do të mundësojë përfitime për rreth 20% të personave mbi moshën 67 vjeç, të cilët deri tani nuk janë trajtuar me pension, me mundësi për të marrë deri në 400 euro në muaj.

Përfituesit do të kenë mundësinë të marrin pensione nga Shqipëria dhe Italia në varësi të viteve të punës që kanë kryer në secilin vend.