Sot në orën 13:00 është paralajmëruar protestë në parkun e qytetit në Koçan, Maqedoni e Veriut, e cila po përhapet në rrjetet sociale dhe vjen pas aksidentit ku humbën jetën 59 persona.
“Kjo protestë është shprehje e dhimbjes dhe revoltës së thellë për jetët e humbura, por edhe për gjendjen në të cilën ndodhemi si shoqëri. Ne nuk mund t’i kthejmë bashkëqytetarët tanë të dashur, por jemi të detyruar të luftojmë për nder të tyre dhe që ta ndryshojmë këtë sistem joefikas që nuk na ofron siguri, mirëqenie dhe drejtësi”, thuhet në një postim në faqen Koçani (Zëri i Koçanit) në Facebook, shkruajnë mediat maqedonase.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare. Sot janë ulur flamujt në gjysmë shtizë për viktimat.
