Një ditë pasi u bënë dëshmitarë të një prej skenave më tragjike, të një skafi që i mori jetën një 7 vjeçare që ishte kthyer për pushime me familjen në atdhe, pushuesit janë larguar në masë nga plazhi i Potamit.
Siç shihet dhe në fotot që janë bërë mëngjesin e sotëm në vendin e ngjarjes, nga gazetarja Esmeralda Keta, një kukull është vendosur në vendin ku dje po pushonte vogëlushja së bashku me familjen e saj, rrobat e të cilëve ndodhen ende në shezlonet të palëvizura.
”Mëngjes i trishtë sot në Potam…
Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezllonë dhe plazhi krejtësisht i braktisur…
Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurtë
Sot të gjithê jemi fajtorë, e pafajshmja u bë ëngjëll”, shkruan gazetarja.
Mbrëmjen e djeshme pushuesit ndezën qirinj dhe vendosën lule në vendin ku u vra vogëlushja, e cila do të përcillet sot për në banesën e fundit në Tiranë, sipas një njoftimi të vetë familjes Avdia. Drejtuesi i skafit, Arjan Tase, shef i policimit në komunitet në Elbasan, më herët shef komisariati në Himarë, u ndalua gjatë ditës së djeshme, ndërsa shihej gjakftohtë teksa qendronte mbi skaf, e madje sipas dëshmitarëve kishte kërcënuar familjen e vogëlushes pas ngjarjes.
Në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit janë paralajmëruar protesta nën moton ‘nuk vret varka, por shteti’, ndërkohë që reagimi i institucioneve ka qenë i vakët, me disa shkarkime në radhët e policisë kufitare të Vlorës, që nuk arrijnë të shuajnë zemërimin e mijëra prindërve, që me vdekjen e Jonadës iu shtohet pasiguria për të rritur fëmijët e tyre në Shqipëri.