Futbollistët shqiptarë vijojnë të jenë pjesë e formacionit më të mirë pas ndeshjeve kualifikuese të Botërorit të Katarit.
Pas Berat Gjimshitit që zuri vend në prapavijë në paraqitjen ndaj Hungarisë është radha e një tjetër lojtari për tu përfshirë në formacionin e xhiros së gjashtë të ndeshjeve në grupe.
Bëhet fjalë për Armando Brojën. Edhe pse e nisi nga stoli dhe u aktivizua në minutën e 46-të në vend të Bajramit, sulmuesi i talentuar ishte mjaft deciziv për kuqezinjtë tanë.
Lojtari pjesë e Sauthempton shënoi dhe asistoi dy herë në vetëm 34 minuta në fushë, duke marrë edhe vlerësime të larta nga ekspertët. Paraqitja e tij sipas ‘SofaSport’ është dinjitoze për një notë 9.3, çka e pozicionon në krahun e djathtë të sulmit përkrah emrave të rëndësishëm të futbollit botëror si Haland e Depaj.
Ky i fundit ishte sërish më i vlerësuari, ndërsa pjesë e formacionit janë edhe emra të rëndësishëm si Grizman, Pjanic e Odegard.