Për të paktën një dekadë, një grup hakerash kanë vënë nën shënjestër njerëz të ndryshëm nga India dhe kanë përdorur aftësitë e tyre për të prodhuar prova të rreme të aktivitetit kriminal dhe për t’i vendosur ato në pajisjet elektronike të njerëzve të pafajshëm.

Më pas këto prova false janë përdorur si një pretekst për arrestimin e këtyre personave.

Një raportim i ri i publikuar nga një kompani e sigurisë kibernetike, Sentinel One ka zbuluar disa detaje të reja rreth këtij grupi, duke zbuluar kështu rrugën e përdorur nga ky grup keqdashës për të shënjestruar aktivistët e të drejtave të njeriut, akademikët dhe avokatët në të gjithë shtetin e Indisë.

Grupi i hakerave me emrin “ModifiedElephant” merret me spiunimin e personave të ndryshëm, mirëpo disa herë ato ndërhyjnë dhe prodhojnë prova të falsifikuara për të arrestuar kundërshtarët e tyre për krime që nuk i kanë bërë.

Rasti më i njohur i aktivitetit të ModifiedElephant është i Rona Wilson dhe një grupi që e shoqëronte, të cilët në 2018 u arrestuan me pretendimet se po planifikonin të rrëzonin qeverinë. Provat për këto pretendime, duke përfshirë këtu dhe një dokument të detajuar me plane për të vrarë kryeministrin, u gjetën në laptopin e Wilson. Megjithatë, analizat e mëvonshme nga ekspertët zbuluan se këto të dhëna ishin të vendosura në këtë laptop përmes një malware.

Për fat të keq ky fenomen nuk është i përhapur vetëm në Indi, por edhe në shtete të tjera si Turqia, ku një grup i ngjashëm me ModifiedElephant kreu të njejtat proçedura mbi një gazetar të quajtur Baris Pehlivan, i dënuar me 19 muaj burgim në 2016 pas akuzave për terrorizëm.