Më herët gjatë kësaj jave, studenti i robotikës Ken Pillonel shpërndau një video ku ai shpjegonte se si arriti të modifikonte një iPhone X dhe të vendoste në të një portë karikimi USB-Cnë vend të portës Lightning që Apple përdor në pajisjet e saja.

Pas përfundimit të këtij eksperimenti, ai vendosi që ta nxirrte në shitje këtë iPhone X të modifkuar në eBay, dhe deri më tani oferta më e lartë qëndron në shifrat $85,000. Në përshkrimin e produktit në faqjen në eBay kjo pajisje konsiderohet si “iPhone-i i parë në botë që vjen me një portë USB-C” dhe një “copëz e vlefshme për t’u koleksionuar për të gjithë fansat e Apple”.

Ankandi për shitjen e këtij iPhone do të mbyllet në datën 11 nëntor. Pillonel tha se çdo person që vendos të bëjë një ofertë për të blerë këtë iPhone duhet të jetë dakort që të mos e update-ojë ose t’i bëjë factory reset pajisjes, të mos tentojë që ta hapë atë dhe të mos e përdorë në jetën e përditshme. Një tjetër paralajmërim thotë se versioni i modifikuar i iPhone X “është vetëm një prototip”.

Pillonel ofron gjithashtu një telefonatë 30 minutëshe me personin që do të blejë këtë pajisje nëse ato do të kenë ndonjë pyetje.