Elbasan/Vijon megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.

Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Bodin.

Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i këtij rasti.

Procedohen penalisht kryetari i fshatit Bodin, për shpërdorim të detyrës dhe xhaxhai i të arrestuarit, për moskallëzim të krimit.

Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar, të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan gjetën në terren malor, në fshatin Bodin, 29 bimë narkotike cannabis sativa.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta policore, u identifikua dhe u arrestua pronari i tokës ku ishin kultivuar bimët, shtetasi F. B., 44 vjeç.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Bodin, shtetasin R. H., 38 vjeç, mbi dyshime për shpërdorim të detyrës, dhe për shtetasin M. B., 75 vjeç, xhaxhai i shtetasit F. B., pasi dyshohet se ka patur dijeni për këtë krim dhe nuk ka kallëzuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.