Në Itali, “Beretat jeshile” të Financave ndaluan makinën me 50-vjeçarin shqiptar në bord: falë nuhatjes së qenve u zbulua vendi i fshehjes së drogës.
Një shqiptar u arrestua me 24 kilogramë heroine në portin e Ankonës në Itali. Ngarkesa e madhe u kap nga Policia financiare. “Korrieri” kishte udhëtuar me një Mercedes, i cili zbarkoi mëngjesin e së shtunës nga një anije që vinte nga Durrësi, njofton media italiane sot.
Ishte mëngjes kur në kalatë ishin të pranishme “Beretat jeshile” me repartin e qenve. Me kontrolle të rastësishme e ndaluan makinën me një 50-vjeçar shqiptar në bord.
Burri po djersiste dhe sigurisht jo nga vapa. Policia financiare italiane i ka kërkuar dokumentet dhe arsyen e mbërritjes në Ankona por 50-vjeçari ka qenë i paqartë, pa specifikuar se për kishte ardhur dhe mbi të gjitha se në cilin vend ishte nisur për të shkuar. Ndaj, u bë një kontroll i plotë i “Mercedesit”.
Qentë filluan të nuhasin diçka dhe operacioni zgjati pak, sepse në mënyrë të dukshme me sy të lirë nuk kishte asgjë në ndarjet e makinës përveç sendeve personale të shoferit dhe disa rrobave rezervë.
Në anën e pasagjerit, megjithatë, hunda e qenve u përqendrua, gjë që bëri që ushtarakët të hiqnin një pjesë të karrocerisë. Në një ndarje të krijuar dhe të maskuar posaçërisht ishte krijuar një fole. Në thellësi, dolën 43 pako të ndara mirë me gjithsej 24 kilogramë heroinë.
Shqiptari u përpoq të thoshte se nuk ishte në dijeni dhe se makina nuk ishte vetëm e atij në përdorim. Prokurorja Irene Bilotta u njoftua dhe 50-vjeçari u arrestua me akuzën e zotërimit dhe trafikut të drogës.
Droga u sekuestrua si dhe automjeti ndërsa shqiptari u dërgua në burg. Gjyqtari hetues Carlo Masini e ka pranuar arrestimin. Po vijojnë hetimet nga Financat për të gjurmuar furnizuesin zyrtar dhe për të kuptuar se ku drejtohej një sasi kaq e madhe.
Ka të ngjarë që vetëm një pjesë të ishte destinuar për në Ankona, një lloj furnizimi për verën që sapo ka filluar, për t’u dorëzuar në pushues të ndryshëm të zonës.
Pas zbarkimit, shqiptari do ta kishte pasur të lehtë të mbërrinte në destinacionet e rivierës ku ndoshta drejtohej pjesa tjetër e sasisë.
Ngarkesa e kapur të shtunën, rreth orës 11 kur u bë kontrolli, është një nga më të mëdhatë e gjetura në port që nga fillimi i vitit.