Një vajzë nëntë vjeçare ka humbur krahun pasi forcat ruse qëlluan me mitraloz familjen e saj, teksa ata po përpiqeshin që të largoheshin nga Kievi.

Vajza e re e guximshme, e njohur si Sasha, tha se shpresonte që ushtarët “nuk donin ta lëndonin”, pasi mjekëve iu desh që t’i prisnin krahun në mënyrë që t’i shpëtonin jetën.

Familja e saj u përpoq që të largohej nga kryeqyteti ukrainas javën e kaluar, por fatkeqësisht makina e tyre u vu në shënjestër nga trupat e presidentit rus, Vladimir Putin.

Babai i saj u vra në atë sulm, ndërsa e motra dhe nëna e Sashës shpëtuan dhe gjetën strehim në një bodrum.

Duke folur nga shtrati i saj në spital, Sasha tha për “Daily Mail”:

“Nuk e di pse më qëlluan rusët. Shpresoj se ishte një aksident dhe ata nuk kishin për qëllim të më lëndonin. Më qëlluan në krah. Vrapova pas motrës sime. Mamaja ime u rrëzua. Mendova se ishte fundi. Pastaj humba ndjenjat. Dikush më çoi në një bodrum. Më dhanë një trajtim. E pastaj disa njerëz më çuan në një peshqir në spital”, ka treguar e mitura.

Vajza e re është vetëm një nga personat e panumërt që ka pësuar lëndime të rënda teksa luftimet në Ukrainë vazhdojnë për ditën e 21. Kryeqyteti u trondit nga shpërthime të fuqishme ditën e djeshme, me të paktën tre shpërthime të mëdha që u dëgjuan edhe në qendër.