Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë dy vendime sa i takon procesit të vetingut në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pas seancave dëgjimore, KPK ka vendosur shkarkimin e gjyqtarit të shkallës së parë të Gjykatës së Elbasanit Ramazan Avdiu, ndërsa ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Tiranës Albert Murçaj.

Albert Murçaj i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u përball të mërkurën më 5 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet e hetimit administrativ për të tri kriteret e rivlerësimit, në të cilat nuk u gjetën shkelje, apo mungesë të ardhurash.

Murçaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Durrësit, u emërua në Prokurorinë e Tropojës. Ai ka punuar gjithashtu si drejtues i Prokurorisë së Pukës, zv.drejtues dhe drejtues i Prokurorisë së Shkodrës dhe është i emëruar në Prokurorinë e Tiranës.

Avdiu nga ana tjetër u përball me një sërë problemesh sa i takon pasurisë, pasi iu gjetën deklarime jo të sakta për një huadhënie që kishte dhënë me interes, si dhe mungesë burimesh financiare për krijimin e pasurisë.

(E.K/Faxweb.al)