Erion Murataj PSD

Policia e shtetit njoftoi diten e sotme se tre shqiptarë të njohur si përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela janë arrestuar në Dubai.

Personat që jane vendosur ne pranga janë tre shtetasit: Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të cilët u vunë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.

AKUZAT

Ervis Daka (38 vjeç) akuzohet për vrasje me paramendim (në tentativë), sigurim kushtesh për të kryer vrasje, mbajtje pa leje armësh dhe përkrahje të autorit të krimit.

Daka dyshohet se ka informuar autorët e një atentati ndaj shtetasit K. P., ka ndihmuar në përgatitjen e vrasjes së shtetasit A. S., dhe ka strehuar për një kohë të gjatë të shumëkërkuarin Talo Çelën.

Maksim Koçi (39 vjeç) akuzohet për vrasje me paramendim, sigurim kushtesh për vrasje, mbajtje pa leje armësh dhe përkrahje të autorit të krimit. Sipas autoriteteve, ai ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasve K. K. dhe I. A., ka planifikuar atentate të tjera dhe ka ndihmuar Talo Çelën për t’u fshehur.

Ado Xhika (40 vjeç) akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, pasi për rreth dy vite ka strehuar dhe ndihmuar Talo Çelën, madje ka ndërmjetësuar edhe një intervistë me një gazetar.

Të tre këta shtetas kishin masa sigurie të formës “arrest në burg” të vendosura nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) në vitin 2024 dhe janë të përfshirë në aktivitete të grupeve të strukturuara kriminale.

Policia e Shtetit tha se arrestimi i tyre eshte bere nga operacioni “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.