Policia e Korçës ka arrestuar dy persona, të cilët akuzohen për veprimtarnë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Porta” raportohet se janë vënë në pranga shtetasit:
Andrea Barmashi, 35 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhej me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Taulant Gjatolli, 31 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, i cili ndodhej me masë “Detyrim paraqitjeje”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
“35-vjeçari, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, përgatiste dozat e kanabisit, ndërsa 31- jeçari i merrte dhe i shiste në qytet.
Shtetasi Taulant Gjatolli u kap në flagrancë, në lagjen nr. 18., Korçë, me doza të lëndës narkotike kanabis, të cilat sapo ia kishte marrë shtetasit Andrea Barmashi, me qëllim shitjen në qytet.” – thuhet në njoftimin e Policisë, teksa raportohet se janë sekuestruar dozat që i janë gjetur 31-vjeçarit.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.